Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka publikuar një dokument “gjashtëmujor të vjetër” me të cilin thotë se kushtet e Serbisë u bën qëndrime të Bashkimit Evropian në takimin e djeshëm në Bruksel që rezultoi pa ndonjë sukses.
Zulfaj në Twitter ka shkruar se ky dokument, i propozuar më herët nga Serbia, u përdor dje nga lehtësuesi [BE] për të mbuluar mungesën e përpjekjeve të Serbisë për planin e sekuencimit.
“Një dokument gjashtëmujor i vjetër u përdor dje nga lehtësuesi për të mbuluar mungesën e përpjekjeve të Serbisë për planin e sekuencimit. Megjithatë, dokumenti është shumë i dobishëm për të kuptuar se si kushtet e Vuçiqit u bën qëndrime të BE-së”, ka shkruar Zulfaj.
Sipas tij, dokumenti shpjegon edhe aneksin e zbatimit jo optimal të paraqitur në Ohër, si dhe “përcaktimin e mëvonshëm të marrëveshjes bazë nga lehtësuesi me drafte të njëanshme, të pabalancuara dhe jo të plota”.
Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan dje në Bruksel, takim që në fund nuk pati ndonjë rezultat. BE-ja ka thënë se Vuçiqi e kishte pranuar propozimin e tyre, por jo edhe Kurti. Kryeministri i Kosovës pas takimit ka thënë se qëndrimi i Serbisë është bërë qëndrim i BE-së. Akuza për njëanshmëri të BE-së ka pasur edhe nga akterë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, partia në pushtet që udhëhiqet nga Kurti.
A six month old document was used today by the facilitator to cover for the lack of Serbia's participation on efforts for a sequencing plan. However, the document is very useful in understanding how Vucic's condition became EU' position. pic.twitter.com/ORyH0krvvW
— Jeton Zulfaj (@JetonZulfaj) September 14, 2023
Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate shprehu dje zhgënjim që nuk u arrit ndonjë përparim në rundin e ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha për Radio Evropën e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
“Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”, tha ai.
E pasi ShBA-ja u shpreh e zhgënjyer që s’ka pasur dje arritje në dialog, ka reaguar edhe aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, i cili ka shtruar edhe tri pyetje për amerikanët në raport me Serbinë dhe sjelljen e saj destruktive.
“A është e zhgënjyer që Serbia hala s’i ka vendosur sanksione Rusisë? Ka qenë kërkesë eksplicite e ShBA-së për Serbinë para disa muajve.
A është e zhgënjyer me Serbinë për nxitjen e serbëve me dalë nga institucione, me dhanë dorëheqje e si rrjedhojë me shkelë marrëveshjen e 2013-ës ku gjysma e saj është për integrimin e serbëve në institucione?
A është e zhgënjyer me Serbinë për dërgimin e policëve të saj në veri me qëllim rrahjen e KFOR-it me ç’rast janë gjymtuar shumë ushtarë të tij?”, janë pyetjet që ka shtruar Gjinovci.
Tutje ai ka vlerësuar se koha e atyre që janë detyruar të nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme për Kosovës ka kaluar dhe se me qasjen e tillë vetëm sa do të fuqizohet edhe më shumë kryeministri aktual Albin Kurti.
“Koha kur e keni pas Hashimin, Ramushin, Isën, Avdullahun me i ngreh për veshi e me na shti në telashet që na keni shti me këto marrëveshje skandaloze të deritashme ka kalu. Tash përballuni me realitetin e demokracisë. Vetë e keni pru te 50.2% nga 25% sa ka qenë, e nëse vazhdoni kështu keni me çu te 70%”, ka shkruar aktivisti Gjinovci.


