Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.K., nën dyshimin se ka dhunuar një të mitur dhe e ka mbyllur në banesë.
Përmes një komunikate për medie, Prokuroria bën të ditur se E.K., dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën- e moshës nën 16 vjet, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari pasi kishte dalë nga banesa e kishte mbyllur viktimën brenda.
“Po ashtu, ndaj të njëjtit, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 09.01.2024, në Kaçanik, përkatësisht në një banesë që më parë ishte shfrytëzuar si zyre, i pandehuri si person madhor, në mënyrë të kundërligjshme e ka privuar nga liria viktimën e ndjeshme –të dëmtuarën e mitur, pasi që kishte dal nga banesa e kishte mbyllur nga jashtë të dëmtuarën me të cilën do të kryente veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se E.K., gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.


