Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit B.G., i cili dyshohet për dy raste të vjedhjes së rëndë në Graçanicë dhe Uglar.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se i dyshuari është ndaluar me urdhër të prokurorit më 19 maj 2024.
Sipas Prokurorisë, për rastin në Graçanicë, B.G., dyshohet se bashkë me një të mitur kreu vjedhje në një autolarje.
“I pandehuri dyshohet se më 19.05.2024, rreth orës 00:30 min., në Graçanicë, më konkretisht në një autolarje, në bashkëkryerje me një të mitur (i cili gjendet në arrati), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë hapur me forcë aparatet e autolarjes dhe nga aty kanë marrë para metalike në vlerë prej 500 eurosh, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm pasuror”, thuhet në njoftim.
Kurse, në të njëjtën ditë, thuhet se bashkë me të miturin, vodhi 3 mijë e 600 euro në Uglar.
“Po ashtu, në ditën e njëjtë, i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me të miturin, në fshatin Uglarë, për qëllime të njëjta, kanë hapur me forcë bankomatin që shërben për këmbimin e parave nga ato të letrës në ato të metalta, si dhe kanë hapur të gjitha arkat e tjera dhe nga aty kanë marrë para në vlerë prej 3600 euro, e më pastaj me taksi janë larguar nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, bëhet e ditur se i pandehuri B.G., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, sipas KPRK-së.


