Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit J.K., i cili dyshohet për “Vjedhje të rëndë” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Përmes një komunikate për medie, kjo Prokurori njofton se J.K., dyshohet se ia vodhi një personi çantën nga vetura, në të cilën kishte kuletën me dokumente.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri J.K., me datë 25.12.2023, në parkingun e një qendre tregtare në Malishevë, me thyerje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, tjetrit i’a merr pasurinë dhe atë të dëmtuarit E.K., me një mjet thyen xhamin e pasëm të veturës se të dëmtuarit, dhe nga aty merr një çantë ku në të ishte një kulet si dhe dy letërnjoftime të lëshuara nga shteti Gjerman, e një i lëshuar nga shteti i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se ai dyshohet se ka përdorur dokumente false.
“Në kohë të panjohur e gjerë me dt.07.02.2024 në Malishevë, me dije përdor dokumentin e falsifikuar si origjinal dhe atë patentë shoferin si dhe kartën e identitetit, që të dy dokumentet i përdor kinse si origjinale, ku të njëjtat posedojnë të dhënat personale të personit të identifikuar si A.M., ndërsa fotografia e vendosur në ato dokumente është e të pandehurit J.K”, thuhet më tej.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale “Vjedhja e Rëndë” nga neni 315, par.1, nënpar.1.1 të KPRK-së, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të KPRK-së.


