Këshilltari i kryekuvendarit Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli, ka thënë që qytetarët serbë të komunave veriore të Kosovës nuk e përkrahën sulmin ndaj Policisë së Kosovës për të cilin tha se është orkestruar nga Serbia.
“Qytetarët serbë të komunave veriore, janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Ata dje nuk e përkrahen krimin e organizuar të orkestruar nga Serbia”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.
Sipas tij, grupet terroriste te financuara direkt nga Beogradi, nuk arritën të gjejnë përkrahje nga qytetarët e asaj pjese të Republikës së Kosovës”.
Kërçeli ka theksuar që presidenti serb, Aleksandër Vuciq, në fund ua la fajin pikërisht serbëve të veriut.
“Gjatë tërë ditës Presidenti i Serbisë apo ish ministri i propagandës në kohen e Kasapit të Ballkanit, spostonte kohën kur do dilte në konferencë për të menduar se çfarë do të ishte propagandimi i radhës. Në fund të ditës zgjodhi se fajin për sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e policit të ndjerë Afrim Bunjaku t’ua faturonte qytetarëve serbë të komunave veriore. Kështu, Vuçiqi provoi përsëri t’i përdorë qytetarët serbë për kalkulimet e tij fashiste, e për të mbrojtur e amnistuar grupet e tij kriminale”, ka thënë ai.
Ndërkohë institucionet për zbatimin e ligjit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria po vazhdojnë edhe sot angazhimet në veri të vendit dhe janë duke i lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se ka armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist ku mbeti i vrarë një polic.


