Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë në lidhje me skemën e pasaportave të arta.
KE-ja është shprehur se nëse nuk heqin dorë, një program i tillë mund të çojë në pezullimin e vizave.
“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë. Komisioni mendon se, nëse skema të tilla vlerësohet se përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Shteteve Anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në deklaratë.
Komisioni tha se Shqipëria ka ndjekur shumicën e rekomandimeve të tyre të bëra më parë, megjithatë, raporti theksoi se Shqipëria gjithashtu ka paraqitur masa që bien ndesh me rekomandimet e KE-së në lidhje me përafrimin si dhe programin e shtetësisë, duke theksuar kështu përparimin e mëtejshëm që është i nevojshëm për çështje specifike, ndër to heqja e planit për futjen e skemës së Pasaportës së Artë.
Skema e Pasaportës së Artë lejon të huajt e pasur që kontribuojnë financiarisht në Shqipëri dhe plotësojnë kërkesa specifike që të marrin nënshtetësinë në këtë vend.
Megjithatë, siç raporton monitor.al shpesh ka pasur kritika se kjo skemë është një derë e hapur për shumë afera të paligjshme.
Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, autoritetet në Shqipëri kanë theksuar më parë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me zbatimin e kësaj skeme.
Komisioni vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha shteteve anëtare që drejtojnë programe të tilla që t’i ndërpresin ato sa më shpejt të jetë e mundur.


