Sezoni zhgënjyes i Real Madrid ka sjellë tensione të mëdha brenda skuadrës, ndërsa mediet spanjolle raportojnë për përçarje në dhomën e zhveshjes dhe mundësinë e largimit të disa prej yjeve kryesorë të ekipit.
Siç raportohet, një konflikt mes Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde ka krijuar situatë të tensionuar në klub, me uruguaianin që thuhet se ka përfunduar edhe në spital pas përplasjes mes dy lojtarëve.
Raportet sugjerojnë se një pjesë e skuadrës e konsideron Valverden përgjegjës për nisjen e konfliktit, sidomos për faktin se ai është një nga kapitenët e ekipit dhe pritej të kishte rol më qetësues në situata të tilla.
Në këtë klimë të tensionuar, drejtuesit e Real Madridit po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimeve të mëdha në skuadër gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa Valverde përmendet si një nga emrat që mund të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Interesim për mesfushorin uruguaian kanë shfaqur Paris Saint-Germain dhe Manchester City. Sipas “Diario AS”, të dy klubet kanë kontaktuar tashmë përfaqësuesit e lojtarit për të kuptuar situatën dhe gatishmërinë e tij për një transferim të mundshëm.
Sipas raportimeve, Real Madridi ka vendosur një çmim prej 100 deri në 120 milionë euro për kartonin e Valverdes, duke e bërë të qartë se nuk do të pranojë oferta më të ulëta për një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës.
Deri më tani nuk ka ndonjë ofertë zyrtare, por vera pritet të jetë e nxehtë për të ardhmen e reprezentuesit uruguaian.


