I akuzuari H.K, është dënuar me 10 muaj burgim pasi e ka pranuar fajësinë se e ka kanosur nënën e tij.
Sipas aktgjykimit që është përpiluar më 16 gusht të këtij viti, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.
I njëjti është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve procedurale, ndërsa e dëmtuara është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Në seancën fillestare që ishte mbajtur më 8 gusht 2022, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë dhe i kishte kërkuar falje nënës së tij, duke shtuar se është penduar pa masë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i akuzuari H.K, më 30.06.2021 rreth orës 18:00, në rrugën në Gjakovë, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje shkakton dhunë në familje, përkatësish kanos seriozisht të dëmtuarën V. K., nënën e tij, me fjalët apo gjeste se do ti shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike i akuzuari pas një mos marrëveshjeve që kishte me punëtorët në shtëpinë e tyre, aty ndërhyn e dëmtuara për ta qetësuar situatën, në atë moment i akuzuari revoltohet dhe fillon që ta ofendojë dhe kërcënojë të dëmtuarën duke iu drejtuar me fjalët: “Moj k…, ti i mbron të hujt e jo djalin tënd, a e di se kur të më prishet gjaku mua të prej në fyt, prit edhe pak se si te më prishet gjaku do të prej në fyt, dil nga shtëpia”, me ç ‘rast tek e dëmtuara shkakton frikë dhe ankth.
Me çka, me këto veprime akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 2 të KPRK-së.


