Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump, është i sinqertë në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por se problemi qëndron te Rusia.
“Trump duket i sinqertë në dëshirën për të arritur paqe, por është Rusia ajo që nuk po e tregon të njëjtën gatishmëri”, tha Kallas.
Ajo theksoi se Evropa duhet të mbetet e përqendruar dhe të bindë aleatët në mbarë botën se asgjë konkrete nuk mund të arrihet në bisedime pa praninë e Ukrainës dhe Evropës në tryezë.
“Të ushtrosh presion mbi Ukrainën, e cila është viktima e agresionit, nuk është qasja e duhur”, shtoi Kallas.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së theksoi gjithashtu se është parë një mbështetje e gjerë për përdorimin e aseteve të ngrira ruse dhe se puna teknike dhe ligjore për këtë çështje pritet të finalizohet brenda javës.
“Ekonomia ruse nuk po ecën mirë; lufta mbaron kur mbarojnë paratë. Prandaj kemi vendosur sanksione. Shpesh e mbivlerësojmë Rusinë dhe e nënvlerësojmë veten”, përfundoi Kallas.


