Ish-senatori zviceran dhe prokurori Dick Marty vdiq të enjten në moshën 78-vjeçare, raporton “SFR.ch”.
Mësohet se trupi i pajetë i Martyt është gjetur në shtëpinë e tij.
Vdekjen e Martyt e ka konfirmuar edhe partia e tij.
Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut.
Raporti i tij për Kosovën, si hetues special për Këshillin e Evropës, kishte pretenduar për trafikim të organeve, duke përfshirë UÇK-në në këtë.
Si pasojë e raportit të tij u themelua Gjykata Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosovës. Në Hagë po akuzohen ish-eprorët e UÇK-së për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Para disa kohëve u raportuar nga mediumet zvicerane se Marty po shënjestrohet nga shërbimet sekrete serbe. Thuhej se po synohej vrasja e tij për t’ia lënë fajin shqiptarëve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në gusht në Këshillin e Evropës kishte kërkuar anulimin e raportit të Dick Martyt për trafikim të organeve në Shqipëri e Kosovë.


