Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim gjeneralmajor Michael E. Wegscheider, komandant i Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe gjeneralmajor Stephen Osborn, agjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovas.
Gjatë takimit, Jashari uroi mirëseardhjen përfaqësuesve amerikanë dhe i informoi për zhvillimet dhe të arriturat e fundit të FSK-së, me theks të veçantë në bashkëpunimin bilateral dhe aktivitetet e përbashkëta mes dy forcave.
“Gjatë takimit të përbashkët, komandanti i FSK-së i uroi mirëseardhje gjeneralëve amerikanë dhe i njoftoi për zhvillimet dhe arritjet e fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar fushat e bashkëpunimit bilateral dhe aktivitetet e përbashkëta.
Pastaj gjatë takimit u bisedua për pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimin e përbashkët shumëkombësh “Defender Europe 25”, ku FSK-ja merr pjesë në Kosovë si nikoqire, si edhe me kontingjentet e saj në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci.
Gjithashtu gjatë takimit u diskutua edhe mbështetja e ushtrisë amerikane në validimin e Ekipit 2 të ROL 1, si edhe për trajnimin e përbashkët në JRTC me Gardën Kombëtare të Ajovas.
Në fund të takimit gjeneralët u zotuan në vazhdimin e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”, shkruhet tutje në njoftimin e FSK-së, në Facebook.