Diplomatët amerikanë thonë se Tel-Avivi është i gatshëm për ofensivë tokësore në Liban, duke nxitur drojën nga shpërthimi i një lufta të madhe rajonale.
Zyrtarët amerikanë u kanë thënë mediumeve se Izraeli ka përfunduar përgatitjet për ofensivë të madhe në Liban dhe se Tel Avivi mund të urdhërojë ndërhyrjen tokësore kundër caqeve të Hezbollahut në Liban. Sipas tyre, edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, zyrtarët izraelitë i kanë kontaktuar kolegët e tyre në Departamentin e Shtetit Amerikan se njësitet speciale të forcave mbrojtëse të Izraelit, tanimë, kanë kryer disa operacione brenda territorit libanez në “përgatitje për një ndërhyrje të kufizuar brenda Libanit”. Ata shtuan se Izraeli, gjatë ditëve të kaluara , i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se ofensiva mund të fillojë në çdo çast.
Njëkohësisht, nga Libani është bërë e ditur se disa ambasada të vendeve perëndimore, kanë filluar evakuimin e stafit ‘jo-esencial’ në pritje të ndërhyrjes tokësore nga ana e Izraelit.
Përfaqësuesit e Hezbollahut, të cilët thanë se ky grup militant tani ka udhëheqësi të re, kanë deklaruar se Hezbollahu është i gatshëm për çfarëdo ndërhyrje tokësore të Izraelit.
Aleatët perëndimor të Izraelit, përfshirë edhe SHBA-në, përsëri i kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të tentojnë të gjejnë zgjidhje diplomatike por, deri më tani, asnjëra palë nuk ka komentuar rreth thirrjeve amerikane për armëpushim.
Përveç sulmeve të reja kundër caqeve të Hezbollahut në Liban, gjatë 24 orëve të kaluara, forcat izraelite kanë vazhduar me operacione në Rripin e Gazës dhe kanë kryer sulme ajrore në Jemen, ku vazhduan e sulme kundër pozitave të Houthi-t.
Njëkohësisht kryeministri i Izraelit, Bunjamin Netanyahu, ka mbajtur një fjalim në të cilin, mes tjerash, tha se populli iranian do të jetë i lirë shumë më shpejtë sesa që kushdo mund të mendonte, duke nxitur, kështu, drojën e diplomatëve se Tel Avivi mund të ndërmarrë ndonjë veprim, i cili do të nxisë luftë të gjerë rajonale.


