Izraeli e Hamasi pritet që të ulen sërish në tavolinën e bisedimeve, për herë të parë që nga fillimi i muajit të Ramazanit. Palët janë pajtuar t’i dërgojnë ekipet për bisedime në Katar, pavarësisht kundërshtive sa i përket armëpushimit. E SHBA-ja ka reaguar lidhur me vendimin e Netanyahut për ta sulmuar Rafahun, duke thënë se nuk e ka parë ende një plan të qartë për evakuimin e 1.4 milionë civilëve
Bisedimet e ngecura për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit pritet të nisin sa më herët të dielën, kanë bërë të ditur zyrtarët egjiptianë.
Është hera e parë që liderët e Izraelit dhe Hamasit u bashkohen negociatave, që nga fillimi i muajit të Ramazanit.
Ndërmjetësit ndërkombëtarë shpresonin të arrinin një armëpushim gjashtëjavor para Ramazanit, mirëpo Hamasi kishte refuzuar çfarëdo marrëveshje që nuk do të çonte në armëpushim të përhershëm në Gazë, kërkesë të cilën Izraeli e ka kundërshtuar.
Advertisement
Në ditët e fundit megjithatë, të dyja palët kanë bërë lëvizje me qëllim të vazhdimit të bisedimeve.
Hamasi të premten u ka dorëzuar ndërmjetësve një plan të ri trepikësh armëpushimi, që do t’u jepte fund luftimeve, sipas dy zyrtarëve egjiptianë, njëri prej të cilëve është i përfshirë në bisedime dhe tjetri që ishte i informuar për to.
Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti sepse nuk janë të autorizuar që ta bëjnë publike përmbajtjen e diskutimeve të ndjeshme.
Sipas propozimit të ri të Hamasit, në shkallën e parë të zbatimit parashihet një pushim gjashtëjavor në luftime, në mënyrë që të bëhej lirimi i 35 pengjeve që përfshijnë gra, të sëmurë dhe të moshuar, e që po mbahen në Gazë nga militanët. Lirimi i tyre do të bëhej në këmbim të 350 palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Hamasi do të lironte po ashtu të paktën pesë ushtare, në këmbim të 50 të burgosurve, përfshirë disa prej të cilëve janë të dënuar me burgim të përjetshëm me akuza për terrorizëm.
Plani po ashtu parasheh që forcat izraelite të largohen nga dy rrugët kryesore në Gazë, duke lejuar palestinezët e zhvendosur që të kthehen në veri të Gazës, e cila është shkatërruar nga luftimet.
Afërsisht një në tre fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veriun e izoluar janë duke vuajtur nga kequshqyerja akute, sipas agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për fëmijë, UNICEF.
Në fazën e dytë, sipas propozimit të Hamasit, të dyja palët do të duhet të deklarojnë armëpushim të përhershëm, dhe Hamasi do të lironte ushtarët e mbetur pengje, në këmbim të më shumë të burgosurve, kanë thënë zyrtarët.
Ndërkaq, në fazën e tretë, Hamasi do të dorëzonte trupat që mban në këmbim që Izraeli të heqë bllokadën e Gazës dhe të lejojë fillimin e rindërtimit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka quajtur propozimin “joreal”. Sidoqoftë, ai është pajtuar që t’i dërgojë negociatorët e tij në Katar për bisedime.
Zyrtarët egjiptianë kanë thënë se bisedimet mund të shtyhen për të hënën, ndonëse ato janë paraparë që të nisin të dielën.
Qeveria e Netanyahut ka hedhur poshtë thirrjet për armëpushim të përhershëm, duke insistuar se fillimisht duhet ta përmbushë qëllimin kryesor që ka, e që është “asgjësimi i Hamasit”.
Zyra e Netanyahut ka thënë të premten se kryeministri ka aprovuar planet ushtarake për sulm në Rafah, qyteti më jugor i Gazës, ku 1.4 milion palestinezë janë të strehuar.
Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera kanë paralajmëruar se një operacion ushtarak në Rafah mund të jetë katastrofal, por Izraeli ka thënë se planifikon t’i shkatërrojë batalionet e Hamasit atje.
Shumë palestinezë janë zhvendosur në Rafah qëkur Izraeli nisi së sulmuari Gazën, pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit në jug të Izraelit, e që la të vdekur 1.200 persona dhe u morën pengje 250 të tjerë.
Zyra e Netanyahut ka thënë se operacioni në Rafah përfshin edhe evakuimin e popullatës civile, por nuk ka dhënë detaje të tjera të planit. Ushtria izraelite ka thënë të mërkurën se ka planifikuar t’i evakuojë civilët në “ishuj humanitarë”, në qendër të Gazës.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë të premten se SHBA-ja ka nevojë të shohë plan të qartë dhe të zbatueshëm për sigurimin e civilëve atje para çfarëdo sulmi.
“Ne nuk e kemi parë ende një plan të tillë”, ka thënë Blinkeni gjatë një vizite në Vienë të Austrisë të premten.


