Izraeli ka miratuar një projekt të ri ndërtimi në Bregun Perëndimor të pushtuar, i cili përfshin ndërtimin e 3 mijë e 401 banesave në kuadër të të ashtuquajturit projekt “E1”, një plan i kontestuar prej dekadash.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një figurë e krahut të djathtë ekstrem, konfirmoi dhënien e tenderit për ndërtimin e këtyre banesave, duke thënë se miratimi i projektit “zhduk idenë e shtetit palestinez” dhe është pjesë e planit për “sovranitet de facto” që qeveria e tij ka nisur ta zbatojë, përcjell KosovaNews.
Projekti E1 ka qenë i pezulluar për vite me radhë për shkak të kundërshtimit të ashpër të komunitetit ndërkombëtar, i cili frikësohet se ndërtimi në këtë zonë do të pengojë formimin e një metropoli palestinez që do të lidhte Jerusalemin Lindor me qytetet Betlehem dhe Ramallah, duke ndarë Bregun Perëndimor në veri dhe jug.
Smotrich e quajti këtë hap “Sionizëm në formën e tij më të mirë – ndërtim, vendosje dhe forcim të sovranitetit”.
Megjithatë, grupi izraelit “Peace Now” pretendoi se planet e miratuara nuk i përkasin projektit origjinal E1, por një lagjeje të re të ndarë brenda vendbanimit Ma’ale Adumim.


