Deputetja e Nisma-s, Xhevahire Izmaku ka thënë se as sot nuk pritet të ketë ndonjë situatë më ndryshe sa i përket konstituimit të Kuvendit.
“Duket se jemi në një fazë ku nuk do të ketë votim politik por ende do të votohet për procedura, nuk ka një ndryshim apo vendimmarrje të re”, tha Izmaku.
Ajo u shpreh se po presin që brenda diskutimeve të brendshme politike me pas një deklaratë në të ardhmen që do të përfshijë diçka më konkrete
“Diskutimet brenda subjektit tonë politik vazhdojnë dhe për këto çështje do të ketë deklaratë nga Limaj në ditët në vazhdim”, tha deputetja Izmaku.
Izmaku iu përgjigj edhe deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili tha se nuk pati marrëveshje me Limajn për shkak se “nuk mund t’i japin kryeparlamentarit një partie me tre deputetë”.
“Sa i përket asaj që numrat përcaktojnë vlerën se duhet të jetë apo jo një autoritet në krye të pozitave shtetërore unë personalisht e konsideroj se në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që kanë përcaktuar rëndësinë, por pesha që ka një lider. z.Limaj do të kishte përfaqësuar shumë mirë, pasi ka një autoritet përafrues në gjithë skenën politike”, tha Izmaku.
Sa i përket votimit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, deputetja e Nisma-s shtoi se më e rëndësishme është mi dhënë vendit emra që kanë një dinjitet të përfaqësimit politik.
“Nëse do të ketë marrëveshje politike ajo do të bëhet në tavolinë jo përmes televizioneve pastaj vendoset për emra të përveçëm”, tha ajo.