Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani, në kuadër të Takimeve Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington DC.
BQK njofton se gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi Bassani mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës, reformat e ndërmarra në kuadër të Planit Strategjik të BQK-së, si dhe mbi projektet në zbatim me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore.
Ai theksoi përparimin e bërë nga BQK-ja në procesin e para-aplikimit pranë Komisionit Evropian për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke vlerësuar mbështetjen vendimtare të Bankës Botërore në këtë proces me ndikim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në takim u diskutua gjithashtu projekti më i fundit për sektorin financiar, që përfshin: zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta në bashkëpunim me Bankën e Italisë, kapitalizimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave, si dhe forcimin e kontributit ndaj Fondit për Garanci Kreditore. Palët e vlerësuan këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të stabilitetit financiar, përmirësimit të qasjes në financa dhe nxitjes së përfshirjes financiare.
Në vijim, u shqyrtuan edhe fusha të tjera të bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Grupit të Bankës Botërore, përfshirë iniciativat për zhvillimin e sektorit financiar dhe ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve institucionale të BQK-së.
“Paraprakisht, Guvernatori Ismaili mori pjesë në takimin e Konstituencës së Bankës Botërore, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Financave të Belgjikës, Jan Jambon. Ky i fundit vlerësoi lart progresin e Republikës së Kosovës, e cila, krahas statusit si vend huazues, ka kaluar edhe në statusin e kontribuuesit në fondet e IDA-së (Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar). Guvernatori Ismaili paraqiti pikëpamjet e tij për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve dhe për prioritetet e përbashkëta, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për partneritet dhe bashkëpunim në realizimin e tyre”, njofton BQK.