Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i shkollës Tafil Thaçi kanë bërë përurimin e sallës së sportit në SHFMU “Naim Frashëri” në Podujevë, investim i Ministrisë së Arsimit me vlerë rreth 400 mijë euro, përfshirë dhe pajisjet sportive.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi se, është shumë e lumtur që nxënësit tashmë do të kenë palestrën sportive ku do të zhvillojnë aktivitetet fizike, duke ofruar të gjitha mundësitë që ora të organizohet sipas kërkesave të kohës, në mënyrë që rezultatet e nxënësve të cilat kanë qenë evidente, në të ardhmen të jenë edhe më të mëdha.
Ndërsa, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se, është kënaqësi e veçantë përurimi i kësaj salle të sportit, e cila do të jetë në shërbim të nxënësve të ShFMU “Naim Frashëri”, në Podujevë, ndërsa foli edhe për projekte të tjera infrastrukturore, sportive dhe shkollore në komunën e Podujevës, për çka edhe falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe ministren Nagavci.
Shuma totale e investimeve të MAShTI-të në Podujevë, në 4 vitet e fundit është gjithsej 7,552,068.77 euro.