“
Prokuroria Speciale ka pezulluar hetimet ndaj kryeterroristit Milan Radojçiq, lidhur me barrikadat e vendosura në veri të vendit më 2022.
Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet se hetimet janë pezulluar meqë “deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes”.
Përveç Radojçiqit, hetimet janë pezulluar edhe ndaj dhjetë të tjerëve, teksa për gjashtë është ngritur aktakuzë për vepra kundër rendit kushtetues.
“Ndaj të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes”, thuhet në njoftim.
Aktakuzë ndërkohë është ngritur ndaj D.M, D.D, M.R, N.I, N.O dhe S.V, të cilët akuzohen se nga 10.12.2022 deri më 29.12.2022, në komunat veriore të Republikës së Kosovës, duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna.
Sipas aktakuzës, ata kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamion të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.


