Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në rrugën “Faik Konica” në Prizren, ku një automjet ka goditur një biçiklist.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se si pasojë e aksidentit, biçiklisti, një mashkull 78-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Sipas Policisë, menjëherë pas aksidentit në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i emergjencës, të cilët i kanë ofruar ndihmën e parë viktimës. Më pas, ai është transportuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Megjithatë, pas disa orësh, 78-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Bytyqi bëri të ditur se për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit drejtuesi i automjetit të dyshuar është ndaluar në mbajtje policore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan deri te ky aksident tragjik.


