Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se konflikti shqiptaro-serb ndër vite, mund të përmbyllet vetëm kur Serbia e njeh shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Ai ka thënë se sulmet serbe më 24 shtator duhet të shërbejnë si kambanë alarmi për Qeverinë, opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë që “kjo çështje e raporteve Kosovë-Serbi dhe konflikti shqiptaro-serb nuk mund të mbyllet pa e njohur Serbia sovranitetin territorial”.
“Pas 24 shtatorit, ka një mundësi të artë që Qeveria e Kosovës të kërkojë dhe të thotë se ngjarjet në veri kanë treguar se dialogu në këtë mënyrë është i tejkaluar”, ka thënë Hoxhaj ne KTV.
Sipas deputetit të PDK-së, institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin obligimet ndërkombëtare, por edhe të kërkojnë nga ndërkombëtarët njohjen e Serbisë.
“Çdo gjë tjetër s’ka kuptim”, ka shtuar ai.
Sipas Hoxhajt, Qeveria Kurti po humbet kohë mbi temën e sulmeve serbe, pasi sipas tij, konferencat për media s’e lëvizin përpara procesin.

