Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jefrey Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarë, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.
Hovenier ka thënë se veriu i Kosovës ka konsideratë të veçantë për të, dhe se e trajtojnë si pjesë të Republikës së Kosovës.
“Dua të them edhe një gjë të rëndësishme që është relevante në kontekstin e pyetjeve që keni bërë. Ky është një pozicion i SHBA-së që s’është i ri. Kur e kemi njohur Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008 e kemi bërë me kufijtë ekzistues. Dhe dua të përsëris këtë. Dua të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë që nga perspektiva jonë veriu i Kosovës ka konsideratë më te veçantë, është pjesë e Republikës së Kosovës dhe ne e trajtojmë ashtu”, ka thënë Hovenier.
“Dua që ta theksoj këtë sepse ka pyetje të shumta për veriun e Kosovës. Unë dua t’iu siguroj që pozicioni i SHBA-së është shumë i qartë, është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, e konsiderojmë ashtu dhe e trajtojmë ashtu”.
Po ashtu, Hovenier ka thënë se sa i përket barrikadave, e kishin këshilluar Kurtin edhe publikisht por edhe privatisht që të mos ndërmerrte ndonjë veprim të shpejt dhe të njëanshëm meqë gjërat do të komplikoheshin. Hovenier thotë se kryeministri Albin Kurti e ka dëgjuar kërkesën e SHBA-së dhe se pas durimit të treguar është gjetur një zgjidhje politike.
“Bazuar në gjitha veprimet e Qeverisë Kurti për situatën në veri, a e keni këshilluar që të mos ngutet me ato veprime, përfshirë targat ose zgjedhjet”, ka qenë pyetja për Hovenier.
“Do të thoja se këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është çështje publike. Ne nuk kemi mesazhe sekrete për ta që dallojnë nga ato që i themi publikisht. Nuk është sekret që ne kemi dashur më shumë kohë në zbatimin e vendimit për gjobitje për personat që nuk i kanë ndryshuar targat. Por jemi përtej kësaj tani. Më duhet t’i potencoj disa hapa që i ka bërë Qeveria e Kosovës. Përderisa ne kishim një pikëpamje tjetër të afatit për targat, përfundimisht Qeveria e Kosovës, edhe pse më vonë, por megjithatë u pajtua me atë. Në këtë pikë, Qeveria nuk gjobit njerëzit që nuk i kanë ndryshuar targat dhe as nuk jep vërejtje dhe kjo ishte një përpjekje për të de-eskaluar situatën”.
“Kur barrikadat ndodhën, që ishte një gjë shumë e vështirë dhe SHBA-ja dha një deklaratë jashtëzakonisht të fuqishme, duke iu referuar ashtu siç janë, që ata të cilët kanë vendosur barrikada ilegale në rrugë duhet t’i largojnë ato menjëherë. Ne kemi qenë të qartë për këtë. Gjithashtu, i kemi thënë Qeverisë privatisht dhe publikisht se duam durim, se lëvizja shumë e shpejtë dhe në mënyrë të njëanshme do të komplikonte situatën më shumë se sa ta përmirësonte. Qeveria e dëgjoi këtë. Nga perspektiva jonë kryeministri Kurti dhe Qeveria treguan për durimin që kemi kërkuar derisa ishim duke e zgjidhur këtë”.
Ne donim një zgjidhje politike për këtë. Kolegu im në Beograd, Ambasadori Hill ishte i qartë në këtë dhe ka të drejtë. Dhe përfundimisht një zgjidhje politike u gjend. U nevojit durim, punë të vështirë por u arrit dhe mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se mënyra si janë larguar barrikadat, me disa përjashtime sot, është shumë më e preferueshme sesa përdorimi i forcës që do të mund të rezultonte me njerëz të lënduar ose larg qoftë të vriten. Kështu, unë do të them se ka pasur përgjigje nga Qeveria e Kosovës për disa shqetësime tona dhe ka pasur gjithashtu edhe disa momente që kemi pasur qëndrime shumë të ndryshme për mënyrat më të mira për disa nga këto çështje”, ka thënë Ambasadori i SHBA-së.