Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka vazhduar me kritikat e akuzat ndaj drejtuesve të shtetit, duke i quajtur kësaj radhe anarkistë, hipokritë e mashtrues, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në një shkrim në Facebook, Hoti ka krahasuar veprimin e tij kur ishte në pushtet, në kohën e “Marrëveshjes së Washingtonit” me krizën aktuale në veri të Kosovës.
Hoti ka thënë se më 2021, presidentja Osmani “pati nxjerrë vrer dhe urrejtje patologjike” për nënshkrimin e Hotit, me të cilën pati ardhur njohja nga Izraeli, por që për një vit qe shtyrë aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Situatën e asaj kohe, Hoti e ka krahasuar me vendimin e Osmanit për t’i shtyrë zgjedhjet në veri, pas tensioneve të shkaktuara së fundmi. Shtyrja e zgjedhjeve erdhi edhe pas kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.
“U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë. Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të SHBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri”, ka shkruar Hoti që ka thënë se “Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën”.
Javën e shkuar, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Policia u sulmuan në veri, teksa hynin në objektet e KQZ-së për t’i organizuar zgjedhjet e parapara lokale për 18 dhjetor.
Pos sulmeve me shok-bomba dhe armë, arrestimi i një ish-polici serb si të dyshuar për këto sulme, çoi në bllokada të rrugëve në drejtim të pikave kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak. Pas tensioneve, Osmani vendosi t’i shtyjë zgjedhjet për në prill.
“Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata: Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka thënë Hoti.
