Deputeti nga radhët e LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për mungesë të mbështetjes së bujqve.
Sipas tij, rritja enorme e importit të produkteve bujqësore gjatë vitit 2022, tregon që prodhimi vendor ka rënë.
Hoti ka thënë se kjo është pasojë e mosmbështetjes së bujqve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
“Që nga fundi i vitit 2021 e kam theksuar disa herë, se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore (farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve) do të dëmtojë prodhimin vendor. Dje e kam përsëritur këtë shqetësim pasi çmimet e këtyre inputeve bujqësore po vazhdojnë të rriten. Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqaroj se çfarë po bën për të zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka paraqitur edhe të dhënat e Doganës së Kosovës për importin e disa produkteve bujqësore në vitin 2021 dhe në vitin 2022.

Ndërkohë që ka kërkuar më shumë mbështetje për bujqit, Hoti në reagimin e sotëm nuk ka treguar si duhet të jepet ajo, si subvencion apo në formë tjetër.
Madje deputeti Hoti nuk ka përmendur fare fjalën subvencion, pasi në reagimin e djeshëm ra në kundërshtim me atë që kishte thënë vetëm 2 ditë më parë.
Më 21 shkurt 2023 Hoti kritikoi Qeverinë e Kosovës që ka rritur shumë subvencionet, duke thënë se ato janë shenjë varfërie, kurse më 23 shkurt kërkonte nga Ministria e Bujqësisë që urgjentisht të rrisë subvencionet.
LEXO më shumë:



