Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti gati çdo ditë ka ndonjë kritikë dhe mandej tek-tuk edhe ndonjë kërkesë për Qeverinë e Kosovës. Vetëm këto ditët e fundit Hoti ka kritikuar ekzekutivin se ka rritur shumë subvencionet, ndërsa tha se ato janë shenjë e varfërisë.
Më saktësisht vetëm para 48 orësh, më 21 shkurt 2023, Hoti kishte thënë se rritja e subvencioneve nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe zvogëlimi i investimeve është shenjë e varfërisë.
“Nuk ka zhvillim ekonomik me subvencione e transfere. Rritja e subvencioneve dhe transfereve është shenjë varfërie”, tha ekonomisti i LDK-së, Avdullah Hoti, që për një kohë ishte edhe kryeministër i vendit, deri kur Gjykata Kushtetuese, vlerësoi se mori mandatit kundërligjshëm.
Mirëpo deputeti Hoti duket se i ka harruar kritikat e dy ditëve më parë.
Nga konstatimi se subvencionet janë shenjë e varfërisë dhe kërkesës për uljen e tyre dhe rritjen e investimeve, ai sot i ka kërkuar Qeverisë që urgjentisht të rrisë subvencionet në sektorin e bujqësisë.
Sipas tij çmimet për farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve janë rritur mesatarisht me 21% dhe për këtë arsye duhet të rriten edhe subvencionet.
“Nëse nuk rriten subvencionet, kjo çon në më pak ara të punuara e më pak ferma. Ministria e Bujqësisë urgjentisht të rrisë subvencionet: për hektar të kulturave bujqësore, për krerë të bagëtive dhe për litër qumështi”, ka shkruar Hoti në Facebook.