Holanda e ka fituar ndeshjen dramatike të çerekfinales së Evropianit 2024 ndaj Turqisë dhe i është bashkuar Anglisë në gjysmëfinale të turneut.
Holandezët të shtunën mbrëma fituan me rikthim të rezultatit 2:1.
Qendërmbrojtësi Samet Akaydin i dha epërsinë Turqisë në minutën e 35-të dhe tifozët u bënë gati për një tjetër festë të madhe.
Por, festa e tyre në Berlin u ndal në gjysmë, pasi Holanda ktheu rezultatin për gjashtë minuta.
Qendërmbrojtësi holandez, Stefan de Vrij, i barazoi shifrat në minutën e 70-të.
Gjashtë minuta më vonë, autogoli i Mert Muldurit e vendosi rezultatin përfundimtar 2:1 dhe fitoren e madhe të Holandës.
Holanda do të luajë kundër Anglisë në gjysmëfinale të garës të mërkurën në “Signal Iduna Park”.


