Kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj, ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për aplikim të standardeve të dyfishta.
Në një reagim dërguar mediave të martën, Imeraj ka theksuar se Kushtetuesja në rastin e Deçanit i ka shpallur të zbatueshme ligjet e kohës së Milosheviçit, ndërsa për të punësuarit e larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve ’90-ta, ligjet e asaj kohe i shpallë ligje diskriminuese.
Në këtë reagim theksohet se Gjykata Kushtetuese, me 30 dhjetor 2022 konfirmoi se ka shpallur vendimin e saj në lidhje me kërkesën e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve.
“Nder të tjera Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e saj të 30 dhjetorit 2022, ka konstatuar se: ‘Gjykata thekson që Gjykata referuese, bazuar në pesë konteste në shqyrtim para saj dhe që ndërlidhen me të drejtën e palëve përkatëse për pension kontributpagues, ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në lidhje me Udhëzimin Administrativ të aplikueshëm dhe të kontestuar në këtë rast, sa i përket kriterit të përvojës së punës në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë vitesh para 1 janarit 1999, në rrethanat historike dhe politike të viteve të ‘90-ta, përgjatë të cilave, pjesa dërrmuese e të punësuarve, ishin larguar nga vendet e tyre të punës bazuar në ligje diskriminuese’”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, bazuar në pjesën e cituar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shihet se kjo Gjykatë ka vlerësuar së gjatë viteve ’90-ta, të punësuarit në Kosovë janë larguar nga puna bazuar në ligjet diskriminuese, ligje këto që i ka nxjerre Serbia për Kosovën.
“Andaj, nëse e analizojmë mirë vendimin e datës 30 dhjetor 2022 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me nenin 8, paragrafit 2, të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve dhe Akt gjykimin e kësaj Gjykate të datës 20 maj 2016 në lidhje me pronat e Ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ të cilat i janë njohur në pronësi Manastirit të Deçanit mbështetur në ligjet e kohës së viteve ’90-ta, atëherë kjo është dëshmi së Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon, vepron dhe vendos me standarde të dyfishta”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit analizimi i këtyre dy vendimeve që bartin vulën e Kushtetueses dhe vendimit të kësaj Gjykate në lidhje me ankesën e parashtruar nga dy ish-kandidatë për Prokurorë të Shtetit, shihet qartë së Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon, vepron dhe vendos me standarde të dyfishta.