Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se institucionet e drejtësisë në veri janë duke funksionuar dhe se qytetarët atje po i marrin shërbimet e nevojshme.
Haxhiu ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë plan për mënyrën e funksionimit.
“Institucionet në veri të vendit janë duke funksionuar, po vijojnë punët dhe qytetarët po i marrin shërbimet e tyre. KGJK-ja siç ka njoftuar ka bërë një plan. Në këtë drejtim më takon të them që gjykatat dhe prokuroria në veri po funksionon. Lëndët po trajtohen, qytetaret po i marrin shërbimet. Sfidë kanë qenë ditët e parë pasi ky rast mirëpo janë plotësuar këto vende dhe situata është duke vijuar sikurse edhe qendra e paraburgimit në Mitrovicë që po funksionon normalisht”, ka thënë Haxhiu.