Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk beson që arsyeja e vërtetë e largimit të deputetes Doarsa Kica-Xhelili, është reforma në drejtësi, siç është shprehur ajo pas largimit.
Haxhiu ka thënë se ka mbetur e befasuar kur e ka dëgjuar këtë deklaratë, por thotë se Kica-Xhelili e ka përdorur këtë sa për ta justifikuar daljen.
Jam shumë e habitur me deklaratat për faktin se asnjëherë dokumentet të cilat ne i kemi punuar, ajo ka pasur qasje në të gjitha prej tyre, kurrë nuk e kam dëgjuar një kritikë të tillë për reformën në drejtësi. Për mua ka qenë befasi se çfarë ka thënë për reformën në drejtësi dhe nuk besoj që ajo është arsyeja por diçka është dashur të thotë për ta justifikuar daljen”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë në intervistën e saj në KTV, e ka cilësuar tradhti ndaj qytetarëve daljen e Kica-Xhelilit nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në momentin kur unë nuk do të jem në Vetëvendosje, nuk do të jem në politikë më. Mendoj që kjo është tradhti ndaj qytetarëve në radhë të parë, se nëse ke marrë vota me emër të Vjosa Osmanit e Albin Kurtit dhe pastaj të ndërrosh qasje, unë mendoj se kjo është”, ka thënë ajo.


