Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka pritur sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, Antero Lopes.
Haxhiu ka vlerësuar rolin e EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, monitorimin e sistemit të drejtësisë, si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë.
Në takim, Haxhiu ka veçuar edhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si fusha në të cilat bashkëpunimi institucional mbetet i rëndësishëm.
“Vlerësova rolin e EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, monitorimin e sistemit të drejtësisë si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë, si trajtimi i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me EULEX-in, ndërsa Lopes-it i ka uruar sukses në detyrën e re.
“Shpreha gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin. Z. Lopes i urova suksese në detyrën e tij të re, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

