Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të komandës së Njësisë së Mbështetjes Rajonale të Ushtrisë Amerikane për Ballkanin në Kampin Bondsteel, ku koloneli Kurt A. Rorvik mori detyrën e komandantit të ri të këtij formacioni ushtarak.
Përmes një postimi, Haxhiu ka vlerësuar shërbimin dhe përkushtimin e komandantit në largim, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm të kampit ‘Bondsteel’ me institucionet e sigurisë, autoritetet civile dhe qytetarët e Kosovës.
Ajo i ka uruar suksese kolonelit Rorvik në detyrën e re, duke shprehur besimin se bashkëpunimi ndërmjet komandës së Camp Bondsteel dhe institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë të forcohet në shërbim të sigurisë së vendit, stabilitetit rajonal dhe të mirës së qytetarëve tanë.
“Kosova mbetet përherë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Forcave të Armatosura Amerikane për kontributin jetik dhe të pazëvendësueshëm në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.


