Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për deputet, Mytaher Haskuka, i cili mban numrin 50 në listë, vizitoi fabrikën e prodhimit të çorapeve “Fringo-Al Socks”, një kompani vendore që ka përfituar mbështetje institucionale nga Qeveria Kurti për blerjen e makinave të reja për prodhim.
Gjatë vizitës, Haskuka theksoi se fuqizimi i prodhimit vendor është jetik për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke mbetur një nga shtyllat kryesore të programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Lirim Berisha, njëri nga pronarët e fabrikës, bëri të ditur se përfitimi i subvencionit ka qenë një proces i rregullt dhe plotësisht transparent, i realizuar përmes platformës “e-Kosova”.
Ai theksoi se mbështetja është siguruar pa pasur nevojë për asnjë kontakt paraprak, duke vlerësuar trajtimin e barabartë dhe korrekt të bizneseve prodhuese nga institucionet.
Në fund të vizitës, në shenjë mirënjohjeje për përkrahjen e vazhdueshme ndaj prodhuesve vendorë, pronarët i dhuruan Mytaher Haskukës një dhuratë simbolike – çorape me numrin 116.
Një dhuratë e ngjashme iu dorëzua edhe kandidatit tjetër për deputet, Farush Rexhepi, i cili në listë mban numrin 65.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka theksuar se mbetet e përkushtuar që, përmes politikave transparente dhe granteve zhvillimore, të rrisë kapacitetet e fabrikave vendore dhe të forcojë ekonominë e Kosovës.


