Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar letrën që kryeministri Albin Kurti i ka dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku e fton për të formuar një koalicion qeverisës.
Duke folur pas dështimit të 11-të për konstituimin e Kuvendit, Haradinaj ka theksuar se një thirrje e tillë është dashur të ndodhte menjëherë pas zgjedhjeve, dhe jo pas 90 ditësh.
“Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve, jo të priten 90 ditë. Situata në Kosovë është e rëndë, po i harrojmë temat e tjera. Rritja e çmimit të energjisë është bërë problem për prodhuesit, jemi vend që importon shumë. Do ta kenë të vështirë të mbajnë punëtorët, jemi duke humbur kohë dhe duhet të kujdeset dikush për ta”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë, është një kandidat unifikues për kryeparlamentar.