Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, se është i zhgënjyer me qeverisjen e drejtuar nga Albin Kurti. Megjithatë, edhe ai e ka pranuar se ka besuar në ndryshimin qeverisës që mund të sillte Kurti me Vetëvendosjen në krye të qeverisë.
“Kam qenë ndër të rrallët në mos i vetmi që kam folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit. Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se sot është i zhgënjyer “deri në palcë me qeverisjen e tyre”!.
Haradinaj, ka konsideruar se Kurti nuk po e kryen asnjë unë punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?
Ai e ka quajtur hajni ordinere, mosmiratimin e ligjit për pagat.
“Si e bllokuan ligjin e pagave, që nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve…”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria kur ai e drejtonte, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro.
“Sot e ka 703 euro. Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit”, ka shkruar ai.
Për Haradinajn, nuk ka asnjë shpjegim logjik, se pse Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve.
“Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e Qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se “pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet”. Kam dashur shumë që kjo qeveri të ketë sukses, por ajo sot është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë”, ka shkruar Haradinaj.