Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe familjarëve të tyre që të mos udhëtojnë nëpërmjet Serbisë.
Ai thirrje iu ka bërë edhe pjesëtarëve të institucioneve të rendit dhe të drejtësisë, si dhe për familjarët e tyre të ngushtë. Reagimi i deputetit të AAK-së vjen pasi autoritetet serbe e kanë ndaluar dhe tashmë i kanë caktuar masën e paraburgimit ish-pjesëtarët të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu.
“Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, qoftë të liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe familjarët e tyre të ngushtë, s’duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Mos e bëni këtë!”, ka deklaruar Haradinaj në Facebook.
Avokati Arianit Koci, i angazhuar për mbrojtjen e Spahiut, ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës të angazhohen direkt në këtë rast, duke kërkuar reagim publik edhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Spahiu është intervistuar nga Serbia mbi sulmin në Banjskë, ndonëse ai ishte larguar nga Policia e Kosovës disa vjet para sulmit.