Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se investitorët si “Axians” dhe “VINCI”, që zgjedhin Kosovën si epiqendër të zhvillimit të biznesit të tyre, janë motiv shtesë që të vazhdojnë krijimin e klimës së favorshme për të bërit biznes, por edhe dëshmojnë rrugëtimin e drejtë që po bëjnë për të ardhmen ekonomike të vendit.
“Të tillë investitorë si “Axians” dhe “VINCI”, që zgjedhin Kosovën si epiqendër të zhvillimit të biznesit të tyre, janë motiv shtesë për ne që të vazhdojmë në krijimin e klimës së favorshme për të bërit biznes, por edhe na dëshmojnë rrugëtimin e drejt që po bëjmë për të ardhmen ekonomike të vendit tonë”, ka thënë Hajdari.
Sipas ministres Hajdari, ‘Axians” dhe “VINCI” funksionojnë në 35 vende të botës, me një bilanc të të ardhurave vjetore mbi 3.7 miliardë euro dhe mbi 14 mijë punonjës. Kompania, pos vendosjes së qendrës së saj kryesore në Prishtinë, nga ku do të mbulojë Ballkanin Perëndimor dhe disa shtete evropiane, ka nisur edhe ndërtimin e Akademisë së TIK-ut në Gjakovë, dhe deri më tash ka punësuar mbi 70 të rinjë e të reja me plan serioz për shtimin dinamik të numrit të tyre dhe edukimin e vazhdueshëm.
“Kosova, pos ambientit infrastrukturor ligjor, sigurisë së investimeve e mikpritjes qytetare, është edhe një oazë e pasur me të rinjë e të reja të aftë, të përkushtuar, të uritur për dije shtesë e arritje të sukseseve në punë, andaj vendimi i këtyre investitorëve për të ardhur këtu, është një shënjestër e qëlluar, me të cilën, besoj shumë, për pak kohë do mburremi bashkë”, ka theksuar ministrja Hajdari./KosovaNews


