Pavarësisht reagimeve të shumta në publik pasi u hoq nga vendi i tij, guri përkujtimor i Pashke Markut – nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë – është hedhur në mbeturina.
Familjarët kanë thënë se u qëndrojnë prapa fjalëve të thëna me rastin e heqjes së gurit nga pronari i tokës.
“Mbetet në përgjegjësinë e institucioneve”, ka thënë Liridon Marku, nipi i Nanës Pashke.
Guri përkujtimor i Pashke Markut u hoq javën e shkuar. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni, ndërsa më pas është konfirmuar nga familjarët e Markut.
Ministria e Kulturës pati njoftuar se ka dërguar autoritetet në vendngjarje, ndërsa Policia pati njoftuar se nuk është iniciuar rast.
Pronari i tokës, që jeton jashtë vendit, nuk është lajmëruar deri më tani.
Pashke Markut i ishin vrarë dy djem në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 27 maj 2003, Nana Pashke ia vuri flakën vetes pasi konsideronte se duhej të digjej edhe ajo.




