Jack Grealish duket se është i destinuar të largohet nga Manchester City këtë verë, pas përjashtimit të tij nga lista e Pep Guardiolës për Kupën e Botës për Klube.
Sipas asaj që raporton The Sun, Napoli, kampionët e Serie A, janë të interesuar për shërbimet e mesfushorit anglez dhe kanë një buxhet prej 45 milionë eurosh për të investuar në afatin kalimtar.
Skuadra italiane po ashtu është e interesuar edhe për Alejandro Garnacho të Manchester United, dhe tani duhet të vendosë mes dy lojtarëve.
Një transferim në Napoli do ta ribashkonte Grealish me ish-bashkëlojtarin e tij te City, Kevin De Bruyne, si dhe me ish-mesfushorin e Manchester United, Scott McTominay.
Raportohet se Napoli preferon Grealish për shkak të përvojës dhe profilit të tij, por janë të vetëdijshëm se Garnacho, si një talent i ri, përfaqëson një investim më afatgjatë dhe potencialisht më fitimprurës.
Në sezonin 2024/2025, Grealish shënoi vetëm një gol dhe dhuroi një asistim në Ligën Premier me Manchester City.
Ndërkohë, 29-vjeçari është parë duke mbajtur formën duke vrapuar natën gjatë pushimeve, teksa po reflekton mbi të ardhmen e tij.
Ai ka ende dy vite kontratë me Cityn, por një largim këtë verë nuk do të ishte aspak befasi./T