Vetëm një ditë pas shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka iniciuar sot në Kuvend formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për dhunën seksuale dhe dhunën në familje në vendin tonë.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti Alban Bajrami, i cili tha se shkaqet e dhunës duhen adresuar dhe një arsye kryesore për nivelin e saj ka qenë mosdhënia e masave adekuate ndaj kryesve nga sistemi i drejtësisë.
“Andaj, kjo çështje do të shqyrtohet në Kuvend të Republikës nga një komision i cili do t’i verifikojë dështimet kyçe për rastet e dhunës seksuale dhe asaj në familje për 5 vitet e fundit”, tha ai.
Deputeti Bajrami ka shtuar se barazia arrihet përmes drejtësisë dhe duhet angazhim për të krijuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Ky Komision Hetimor për të cilin sot ju drejtova zyrtarisht Kryesisë së Kuvendit, do të ndihmojë përmbajtësisht në këtë drejtim. Gëzuar 8 marsi!
Në shënimin e Ditës së Gruas të organizuar dje nga Agjencia për Barazi Gjinore, Kurti tha se përgjegjësia e barazisë gjinore bie mbi burrat, ndërsa aty u propozua që emrat e grave që ndërtuan historinë e vendit t’iu vendosen institucioneve dhe hapësirave publike.



