Policia e Kosovës ka zbuluar dhe goditur një rrjet të falsifikimit të dokumenteve që lidhen me pronat shtetërore, duke sekuestruar prova të shumta, përfshirë armë dhe sende me vlerë të lartë.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve, që vepron në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar për disa muaj hetime intensive nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Hetimet kanë zbuluar se një person, në bashkëpunim me të tjerë, dyshohet se ka falsifikuar dokumente që janë përdorur për bartje dhe legalizim të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me qëllim tjetërsimin e pronave publike në pronësi private. Këto prona më pas janë shitur duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma milionëshe.
Në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor, Policia ka realizuar bastisje në dy rajone të vendit – në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe – të lidhura me të dyshuarin.
Gjatë operacionit janë sekuestruar:
- dokumente të ndryshme që lidhen me pronat (kontrata, regjistra parcelash, dosje në gjuhën serbe, dokumente të ish-RFJ-së);
- pajisje për falsifikim, përfshirë pesë makina shkrimi dhe një “Paper Trimmer”;
- një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë;
- një telefon iPhone 17 Pro, një orë Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.
Ndaj të dyshuarit është ngritur dyshim i arsyeshëm për veprat penale: Falsifikim i dokumenteve, Legalizim i përmbajtjes së rreme, Mashtrim dhe Mbajtje e paautorizuar e armëve.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie.


