Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar kërkesëpadinë e paditësve Xhelal dhe Arben Berisha, ndaj ish- presidentes Atifete Jahjaga për shpifje dhe fyerje, ku kërkonin kompensim dëmi në shumën prej 30 mijë euro.
Sipas aktgjykimit të 1 dhjetorit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve Xhelal dhe Arben Berisha, të cilët kanë kërkuar nga gjykata që të vërtetohet përgjegjësia civile për shpifje dhe fyerje dhe të detyrohet e paditura Jahjaga që t’ua kompensojë dëmin jomaterial në shumën prej 30 mijë euro, për shkak të dhimbjeve shpirtërore, cenimit të autoritetit, cenimit të nderit dhe lirive, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata ka theksuar se pas analizimit dhe vlerësimit të gjendjes faktike, ka gjetur se në rastin konkret objekt kontesti janë edhe e drejta e paditësve për reputacion, ashtu edhe e drejta e së paditurës për lirinë e shprehjes.
Në aktgjykim, thuhet se duke iu referuar parimeve të ndërtuara në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), gjykata ka vlerësuar se deklarata që është objekt kontesti në këtë rast, e dhënë nga Jahjaga, kishte të bënte me të drejtat e grave, njëherit duke përfshirë edhe të drejtat e grave në pronë, që është çështje me interes publik.
Andaj, thuhet se kur kemi të bëjmë me çështje të tilla, ka pak hapësirë për kufizim të debatit, kjo sipas nenit 10, paragrafi 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), ku thuhet se: “Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike…”.
Tutje, sipas gjykatës kjo vlerësohet gjithashtu edhe sipas nenit 7 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes (LCKSHF), ku thuhet se: “Askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje për një deklaratë të një çështjeje me interes publik, nëse ata dëshmojnë se ishte e arsyeshme në të gjitha rrethanat për një person në pozitën e tyre të përhapte materialin me qëllim të mirë, duke marrë parasysh rëndësinë e lirisë së shprehjes në lidhje me çështje të interesit publik që ai të marrë në kohë informacion për çështje të tilla”.
Duke u bazuar në këto, sipas aktgjykimit, gjykata ka konsideruar se deklarata kontestuese e të paditurës Jahjaga kishte të bënte edhe me çështjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, gjë që është çështje e interesit publik.
Sa i përket reputacionit të paditësve, gjykata ka konsideruar se pasi që të fundit nuk mund të hyjnë në domenin e ndonjë figure publik, e përkundër faktit se paditësi Xhelal Berisha dhe nëna e tij ishin deklaruar në medie për kontestin pronësor mes tyre dhe Shyrete Berishës, tregon se i njëjti ka pranuar të hyjë në domenin e diskutimit publikun, deklarimi i tyre kishte ndodhur kohë para se e paditura të jepte deklarimin kontestues.
Kundër këtij aktgjykimi, është lejuar ankesa në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit, ankesë e cila do të shqyrtohet nga gjykata e shkallës së dytë.
Ndryshe, shqyrtimi kryesor lidhur me këtë çështje juridike ishte mbajtur më 7 shtator të këtij viti, ku dhe ishte dhënë fjala përfundimtare e përfaqësueseve të palëve ndërgjyqëse.
Ndërsa, sipas precizimit të padisë së 20 majit 2022, në aspektin objektiv, Xhelal dhe Arben Berisha kanë paditur ish-presidenten Atifete Jahjaga për shpifje dhe fyerje, duke thënë se është e pamundur të caktohet vlera monetare nga ana e të njëjtëve, ndërsa në mungesë të ekspertizës përkatëse të caktohet nga gjykata.
Sipas precizimit të padisë, thuhet se paditësit kërkojnë nga gjykata të vërtetohet përgjegjësia civile për shpifje dhe fyerje.
Po ashtu, sipas precizimit të padisë, është kërkuar që të detyrohet Jahjaga që në emër të dëmit jomaterial, paditësit Xhelal Berisha t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 20 mijë euro, ndërsa për paditësin Arben Berisha t’i paguajë 10 mijë euro, me kamatë sipas dispozitave të LMD-së, po ashtu shpenzimet e procedurës.
Ndryshe, sipas padisë së 13 shtatorit 2017, paditësit Xhelal Berisha dhe Arben Berisha kanë paditur për shpifje dhe fyerje ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në padi thuhet se Jahjaga gjatë javës së gruas në fjalimin e saj më 20 mars 2017, ka përmendur Shyrete Berishën – gruaja e vëllait të ndjerë të paditësit Xhelal Berisha, si shembull se kinse të njëjtës i janë shkelur të drejtat nga ana e ish-familjes së burrit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Gjithashtu, sipas padisë, thuhet se Jahjaga gjatë fjalimit të lartcekur ka deklaruar: “Si mundemi ne, respektuesit e kuotës së 30%-shit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që për një grua të hiqet nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj që lufta – lufta për lirinë tonë- ia mori padrejtësisht”.
Tutje, sipas padisë, e paditura ka thënë se: “Shyrete Berisha ishte heqë zvarrë nga shtëpia e saj” dhe “është duke iu mohuar e drejta mbi pronën, bashkëndërtuese e së cilës ishte”. Kështu duke shkaktuar dëm jomaterial në shkallë të madhe, duke cenuar rëndë integritetin, dinjitetin dhe statusin shoqëror të familjes Berisha.
Lidhur me këtë, në padi thuhet se Jahjaga ka paraqitur të pavërteta tjera, “Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave të burrnisë, të tradhtisë”.
Mbi këtë bazë, paditësit Berisha kanë kërkuar të detyrohet e paditura Jahjaga që paditësve në emër të kompensimit të dëmit jomaterial dhe material të shkaktuar për shkak të shpifjes t’ua paguajë shumën prej 250 mijë euro si dhe kamatën, si dhe shpenzimet e procedurës.
Ndërsa, sipas përgjigjes në padi të 2 nëntorit 2017, e paditura Jahjaga, askund në fjalimin e saj nuk i refefohet paditësve dhe se e njëjta i referohet vetë fjalëve të Berishës, të thëna publikisht. Po ashtu, vërtetohet se padia e paditësve nuk është e bazuar në ligj dhe është bërë për arsye të përfitimit të padrejtë.
Mbi këtë bazë, e paditura kërkon përmes përgjigjes në padi që të hudhet poshtë kërkesëpadia e paditësve Berisha si e pabazë dhe që të njëjtit t’ia paguajnë edhe shpenzimet e procedurës.
Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se paditësit dhe Shyhrete Berisha veçse ishin subjekt në një procedurë juridike- pronësore, andaj nuk mund të konsiderohet deklarata kontestuese e të paditurës kishte në kontekst verdiktin përfundimtar gjyqësor, raporton Betimi për Drejtësi.
Përfundimisht, gjykata e shkallës së parë ka gjetur se në deklarimet kontestuese të të paditurës, nuk është vërtetuar shpifja dhe fyerja ndaj paditësve, e nga kjo del se nuk ka bazë ligjore për shpërblimin e dëmit.
Po ashtu, gjykata në aktgjykim ka vlerësuar edhe prentedimet e të autorizuarës së të paditurës se kërkesëpadia e paditësve është e pasafatshme. Por, meqë paditësve nuk i është kujtuar saktësisht data se kur e kanë kuptuar për lajmin, gjykata nuk ka mundur që në rastin konkret të vë në shprehje afatin subjektiv prej 3 muajsh dhe rrejdhimit i duhet ta trajtojë padinë brenda afatit objektiv.
Sipas aktgjykimit, obligohen paditësit që të paditurës Jahjaga t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës në shumë prej 1 mijë e 352 euro.


