Sadik Duraku nga fshati Damjan i Komunës së Gjakovës i cili u arrestua para një muaji në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë sot ka dalë para gjykatës në Beograd për tu gjykuar kinse për krime lufte.
Burime të KosovaNews bëjnë të ditur se gjykata në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit edhe prej 30 ditësh me kërkesë e Prokurorisë serbe.
Këtë e ka konfirmuar edhe një familjar i Durakut, ndërkaq, sipas avokatit të Durakut, në gjykatë nuk është paraqitur dëshmitari i Prokurorisë, megjithatë gjykata ia ka vazhduar masën e paraburgimit.
Prokuroria për krime lufte e Serbisë me akuza të sajuara po e akuzon Durakun kinse si pjestarë i UÇK-së ka marrë pjesë në krime lufte në keqtrajtimin e civilëve serb në rajonin e Gjakovës,Prizrenit dhe Pejës.
Ndërkohë familjarët e tij kanë thënë se Sadik Duraku në atë kohë nuk ka qenë fare në Kosovë pasiqë ai qe 30 vite jeton në Angli dhe gjatë kohës së luftës ka qenë duke jetuar në këtë shtet. Familjarët e Durakut bëjnë të ditur se ai nuk është mirë me shëndet sepse para pak kohe ai i është nënshtruar një operacioni në zemër dhe është duke u trajtuar me barëra gjë që tash i rrezikohet edhe më shumë shëndeti i tij në burg.


