Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar padi/kërkesën e Komunës së Prishtinës për pezullimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilët kanë ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Hidhet poshtë si e palejuar padia/kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit e paditëses/propozueses, Komuna e Prishtinës, nën shenjën A.nr.1922/2025 e datës 093.06.2025 për shkak të mungesës së legjitimitetit aktiv”, shkruhet në pikën e parë të aktvendimit.
Punimet për sheshin “Xhorxh Bush”, kishin nxitur një përplasje ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Komuna kishte nisur disa herë punimet në këtë shesh, por që janë ndaluar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Kryetari i Prishtinës, kishte deklaruar se punimet do të zhvillohen në tri faza, duke theksuar se kjo do të ndihmojë që qytetarët të mos ndihen të bllokuar gjatë punimeve.
Projekti ishte planifikuar të përfundojë pas 240 ditëve të punës, dhe ky projekt kap shifrën prej 18.1 milionë eurosh.
