Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka publikuar një mesazh urimi për përvjetorin e 18-të të shtetësisë së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Ankarasë për shtetin e Kosovës.
Përmes një postimi zyrtar, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (MSB) e ka cilësuar Kosovën si një “vend mik dhe vëlla”, duke vlerësuar rrugëtimin e saj drejt lirisë.
“Urojmë këtë ditë kuptimplote të vendit mik dhe vëlla, Kosovës, e cila fitoi pavarësinë 18 vite më parë. Përshëndesim me zemër vëllezërit tanë kosovarë,” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Më tej, në mesazh theksohet se lidhjet mes dy vendeve mbeten të forta dhe se Turqia do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e sigurt për Kosovën:
“Ne do të vazhdojmë të jemi gjithmonë pranë vëllezërve tanë kosovarë.”, thuhet në postim.
Postimi është shoqëruar me simbolet e bashkëpunimit dhe flamujt e të dyja vendeve, duke simbolizuar raportet e ngushta që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Ankarasë zyrtare.
Mesazhit të urimit i është bashkuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, e cila ka vënë theksin te forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
”Përgëzojmë popullin mik dhe vëlla të Kosovës në 18-vjetorin e Pavarësisë së tyre. Do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona në çdo fushë,” deklaroi diplomacia turke përmes një njoftimi zyrtar.


