Institucionet e vendit, si Policia e Kosovës, Dogana dhe agjenci tjera të linjës po vazhdojnë aksionet në baza ditore kundër kontrabandës në gjithë territorin e Kosovës.
Kësaj radhe gjatë një patrullimi në rrugën magjistrale Bërnjak- Mitrovicë, në afërsi të liqenit të Ujmanit, Njësitë e Policisë Kufitare (NJNSH – Veri), kanë ndaluar një veturë me vozitës mashkull kosovar, i cili dyshohej se kishte kaluar kufirin ilegalisht dhe në veturë kishte mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara.
Policia e Kosovës njofton se pas kontrollit në automjet është hasur në një sasi të mallrave të ndryshme si: fellne të reja (4 copë), salveta (palloma-disa pako), zbutës të rrobave, pako me gjëra të ndryshme ushqimore (çokolata, qumësht, pije të gazuara, jogurt, pelena etj.)
Po ashtu gjatë kontrollit policia tregon se në automjet dhe në çantë të krahut, tek i njëjti person ka pasur në posedim para të gatshme, si 5 mijë e 0 euro dhe 128.250 dinar.
Bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin, janë hapur rastet “Kalim ilegal i kufirit” dhe “Kontrabandim me mallra”, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Malli i konfiskuar i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme ndërsa të hollat me urdhër të prokurorit i janë kthyer palës./KosovaNews/