Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kanë dërguar një letër të përbashkët presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën thuhet se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është thelbësore për Ballkanin Perëndimor.
Në letrën e dy liderëve thuhet se Gjermania dhe Franca i kanë ngarkuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettnerin dhe Emmanuel Bonnin, për t’i ofruar ndihmë direkte emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në letrën thuhet se këshilltarët e tyre bashkë me Lajçak do ta vizitojnë Kosovën.
Scholz e Macron kanë bërë thirrje që të tregohet vendosmëri dhe gatishmëri për të pranuar edhe vendime të vështira që të çohet para procesi i dialogut.


