Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.
Seanca pritet të nis në orën 09:00.
Ndryshe, Gjergj Dedaj, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke e vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës.
I pyetur nga avokati se a kishte zyrtarë dhe politikanë që flisnin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dedaj ka thënë se ka pasur nga parti të ndryshme, përfshirë edhe LDK-në.
Sipas Dedajt, individë të LDK-së kanë bërë propagandë anti-UÇK dhe kanë tentuar të denigrojnë luftën e UÇK-së
“Ishin të partive të ndryshme, sepse në UÇK ka pasur anëtarë të të gjitha partive, edhe anëtarë të Partisë Liberale të Kosovës. Ka pas edhe individë, më shumë në LDK se ka qenë partia më e madhe, që kanë bërë propagandë anti-UÇK-së që kanë tentuar me denigru luftën heroike”, ka thënë Dedaj.
Kurse dje, Dedajt nuk i kanë pëlqyer pyetjet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), e cila insistonte te ai të tregonte si i ka pësuar disa lëndime në dorë.

Dedaj tha se është rrëzuar disa herë në Baincë dhe Qirez, dhe për këtë arsye ka pësuar lëndime.
Tutje, ai tha se më me dëshirë pranon të mbajë burgim të përjetshëm ose të pushkatohet sesa të përballet me këto pyetje.
“Te shkolla ‘Migjeni’, ka qenë natë dhe shi… duke shkuar në tualet, ka qenë disa metra jashtë objektit, ka qenë terren i rrëshqitshëm dhe me gropa, këtë e thashë dhe ka me thënë 100 herë. Me këto cka po tregoni tash, vetëm po na e shkatërroni jetën, s’po fiton asnjë gjë. Unë më para, me siguri keni dhoma të burgut me shku në burg të përjetshëm me shumë dinjitet e gatishmëri, edhe në pushkatim, por mos me më qit në pozita të rënda shpirtërore e familjare”, tha ai.
Madje, Dedaj u tregua i ashpër me prokuroren, duke i thënë se “kanë qëllime dhe porosi të tjera”.
“S’kam mujt me pas video se ku po rrëzona , kjo është absurd, nëse keni qëllime tjera dhe porosi të tjera, kryeni”, tha ai.
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka vijuar me dhënien e dëshmisë para Dhomave të Specializuara të martën.
Ai iu është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, derisa gjatë dëshmisë paradite ka kërkuar që seanca të jetë e mbyllur “që të mos rrezikohet familja”.
“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e tij. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj, derisa Prokuroria i ka bërë thirrje t’u mos flasë jashtë temës.
Gjatë dëshmisë, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte dërguar birra dhe ushqime.
“Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së, ushqimi s’ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra si në hotel na kanë sjell birra në Baicë…Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë, 25 vjetët e mia janë sa 2500 vjet tuajat në Evropë”, ka shtuar ai.


