Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po vijon me dhënien e dëshmisë para Dhomave të Specializuara të martën.
Ai po iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, derisa gjatë dëshmisë ka thënë se kërkuar që seanca të jetë e mbyllur “që të mos rrezikohet familja”.
“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e tij. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj, derisa Prokuroria i ka bërë thirrje t’u mos flasë jashtë temës.
Gjatë dëshmisë, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte dërguar birra dhe ushqime.
“Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së, ushqimi s’ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra si në hotel na kanë sjell birra në Baicë…Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë, 25 vjetët e mia janë sa 2500 vjet tuajat në Evropë”, ka shtuar ai.
Marrjen në pyetje të Gjergj Dedajt, e ka vazhduar Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ai u pyet lidhur me vizitën në Qirez dhe se a kanë mbajtur fjalim atë ditë apo kanë folur me popullatën individualisht.
“Ne për me bisedu me ta kemi shku, me i pa problemet e tyre, hallet e tyre nën terrorin serb”, tha Dedaj.
Dedaj tha se ata si delegacion nuk kanë bërë incizime, por ka mundur ta bëjë një gjë të tillë dikush prej gazetarëve.
“A e kanë incizu, unë nuk i kam kontrollu ata. Sepse ne si grup-delegacion nuk kemi bërë asnjë incizim. Ka mujtë dikush prej gazetarëve me incizu se është e lejushme që me e ba punën e vet se ne e kemi pas vizitën humanitare”, tha Dedaj.
Aktualisht seanca gjyqësore kaloi në versionin e mbyllur për publikun, pasi prokurorja tha se ka pyetje të cilat parashihen sipas dispozitave të bëhen në seanca private.
Dedaj: S’kam qenë normal
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, në dëshminë e tij të dhënë dje ka deklaruar se është “pishman” për një pjesë të dëshmive që i ka dhënë pasluftës në lidhje me zhvillimet e vitit 1998.
Ai ka thënë të hënën para Dhomave të Specializuara se në shumicën e dëshmive nuk ka qenë në gjendje të mirë psikike.
“Në 90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë…Jam kufomë, s’kam asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë, unë nuk ligshtohem, jam i guximshëm dhe jam i përgatitur për të dhënë jetën….”, ka thënë mes tjerash Dedaj.
Ai ka shtuar se ishte ndaluar në 1998-n në fshatin Qirez të Skenderajt, por më pas është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është heroike dhe ndër ushtritë më të pastra në historinë botërore”.
Gjatë disa pyetjeve të ZPS-së, Dedaj është ankuar se shumë ngjarje të periudhës së 1998-s i ka harruar.


