Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar për përfundimin me sukses të një operacioni shpëtimi në zonën malore të Shtërpcës, ku disa motoristë kishin humbur rrugën.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se motoristët që kishin humbur rrugën në afërsi të qytetit të Shtërpcës janë gjetur dhe janë kthyer të shëndoshë e mirë,” thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Shoqata.
Pas pranimit të thirrjes për ndihmë ekipet e shpëtimit ishin mobilizuar menjëherë për të nisur kërkimin në terrenin e vështirë malor, ku motoristët ishin raportuar për herë të fundit.
“Pavarësisht terrenit dhe kushteve, motoristët u lokalizuan dhe u asistuan deri në kthimin e tyre të sigurt,” njoftoi Shoqata.
Ajo gjithashtu falënderoi të gjithë personat dhe institucionet që kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij operacioni.“Ne mbetemi të përkushtuar për t’iu përgjigjur çdo thirrjeje për ndihmë dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në raste emergjente,” përfundon deklarata.