Zëvendëskryeministrja në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur për punët që ka kryer Qeveria Kurti gjatë kohës sa ka qenë në pushtet. Ajo ka thënë se ka pasur rritje të jashtëzakonshme ekonomike dhe rritje të pagave.
“Mediave nuk ju mjaftojnë as shifrat për të rishikuar pozicionin të cilin e marr jashtë çdo pozicioni kritik. Kosova ka pasur një hov të madh ekonomik. Progresi ekonomik matet me shifra” – ka thënë ajo në emisionin “Pressing” në T7.
Gërvalla tutje ka lavdëruar punët e bëra në veri të Kosovës.
Ndërsa është pyetur pse nuk po e shpallin Listën Serbe organizatë terroriste, ajo ka thënë:
“Asnjë lloj show nuk ka në atë mes. Kjo parti në këto zgjedhje komunale nuk duhet të certifikohet. Duhet shpallur organizatë terroriste, por është proces i gjatë, nevojitet shumë më tepër sesa për t’ia pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje.”
Gërvalla ka folur edhe lidhur me çështjen e subvencioneve. Ajo ka thënë se vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacollit, nuk ka marrë asnjë para.
“Keni kujdes se jemi duke folur publikisht. Duhet të keni bazë. Në cilën datë i ka marrë. Zero ai i ka marrë. Nuk jam marrë me dajën, kur të vij herën e ardhshme ju tregoj edhe për dajën” – tha Gërvalla.
Ndërkaq për Martin Berishajn, Gërvalla tha se “është aferë e sajuar nga mediat”.
Vitin e kaluar në media u raportua se vëllai i deputetes Fitore Pacolli ka fituar një grant nga Ministria e Bujqësisë në vlerë rreth 100 mijë euro.
Ndërsa, rasti i Martin Berishajt bëri bujë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600,000 euro te një kompani private në Mal të Zi.
Sipas mediumit slloven Planet TV, kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berishaj ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.
Vitet e kaluara, shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD-së nuk pati lëkundje besimi në të. Përkundrazi, lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë.


