Deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, sërish tha se deputetët e partive opozitare “nuk e dinë se çfarë duan”, ndërsa tha se po e bëjnë opozitën pa kauzë.
Ajo foli sot për përplasjet që i pati me disa deputetë të PDK-së e të Aleancës në kuvend.
“E kuptoj që ka zhurmë dhe ka të tillë që nuk e duan zgjidhjen, por që nuk e dinë se çfarë duan”, tha Gërvalla pasi mori pjesë në një ngjarje bashkë me shefin e saj, Albin Kurti.
Ajo më pas foli edhe për hedhjen e ujit…!
“Për fat të mirë ishte edhe nxehtë, pra freskimi me ujë nuk është që ishte ndonjë dëm shumë i madh”.
Politika bëhet me mjete të ndryshme. Është e rëndësishme që të mos e humbasim arsyen në asnjërën prej aksioneve tona. Por, me zgjedhjen e mjeteve duhet ta dimë se për çka po i zgjedhim ato mjete. Në bazë të secilit secilin veprim jashtë parlamentit duhet të jemi të sigurt se cilës kauzë po i shërbejmë. Veprimet e tilla pa kauzë tregojnë çoroditje të jashtëzakonshme. Unë u mundova edhe atë ditë brenda sallës në një situatë jashtëzakonisht të zhurmshme u mundova që të kontribuojë që t’ju them se zgjidhja gjendet në tavolinë”, deklaroi Gërvalla.
Deputetët e PDK-së e AAK-së kërkuan nga Vetëvendosje që ta thërrasë seancën konstituive dhe akuzuan atë për shkelje të Kushtetutës pasi konstituimi i kuvendit s’u bë brenda afatit kushtetues meqë Kurti kërkoi “kohë shtesë”.
Moskonstituimin në kohë, Gërvalla e arsyetoi duke thënë se këtë herë “kanë vendosur” që të flasin me opozitën paraprakisht.
“E kemi bërë të qartë që përpiqemi të bëjmë një marrëveshje sepse e kaluara na ka mësuar se kur po i bëjmë hapat paraprakisht atëherë opozita po na thotë që ju tash i keni kryer, çka po doni me neve. Këtë herë e kemi vendosur që ta dëgjojmë shqetësimin e opozitës dhe të merremi vesh për të gjitha në fillim me qëllim që të mos kemi bllokada të mëtejshme”.

